Një ushtrim që tregon si vendos ekipi juaj kur ndodh incidenti.
Në një ushtrim tabletop (TTX), ekipi juaj përballet me një krizë sigurie kibernetike. Ushtrimi nuk kërkon asnjë përgatitje teknike: mjafton një instruktor, një sallë, një skenar dhe ngjarje që vijnë njëra pas tjetrës. Ekipi diskuton dhe vendos me kohë të kufizuar, dhe kështu shihet kush di vërtet çfarë të bëjë.
Nuk ju flasim për incidentet në teori, por ju ndihmojmë të përballoni një të tillë.
Gjatë ushtrimit
- Një skenar i trilluar, i përshtatur me sektorin tuaj.
- Çdo ngjarje e re kërkon një vendim aty për aty.
- Instruktori mban ritmin, ndërsa një vëzhgues shënon çdo vendim dhe kush e mori.
Çfarë merrni me vete
- Regjistrin e vendimeve të ditës.
- Pas ushtrimit, një raport katër faqesh: kush vendosi çfarë, çfarë mungoi dhe tri gjërat që duhen ndrequr më pas.
- Me skenarin «Kopjo dhe ngjit», edhe një rregull të shkruar për mjetet e AI-së që përdor stafi.
Formati
- Kohëzgjatja
- Gjysmë dite në versionin hyrës. Përshtatet sipas kërkesës suaj.
- Pjesëmarrësit
- 6 deri në 20 persona nga role të ndryshme, si drejtimi, financa, burimet njerëzore, IT-ja dhe sporteli.
- Ngjarjet
- Tri deri në katër.
- Kush e drejton
- Një instruktor dhe një vëzhgues.
Pesë skenarët
Të pesë janë raste të trilluara, të ndërtuara mbi lloje incidentesh që kanë ndodhur në Shqipëri. Nuk përmendim asnjë organizatë reale, as në ofertë, as gjatë ushtrimit.
- 1
Rroga në WhatsApp
Një tabelë me emrat, numrat e identitetit dhe pagat e stafit tuaj qarkullon në WhatsApp. Brenda orës ju telefonon një gazetar.Çfarë vë në provë: kush njoftohet i pari; nëse ky është cenim i të dhënave personale që duhet njoftuar, dhe brenda cilit afat; si i flisni stafit tuaj; si e gjeni burimin pa akuzuar të gjithë të pranishmit.Për kë: burimet njerëzore, financa, drejtimi. Pothuajse kushdo në Shqipëri e njeh këtë situatë menjëherë. - 2
Fatura e ndryshuar
Një furnizues me të cilin punoni prej kohësh ju dërgon me email një llogari bankare të re, pikërisht ditën kur skadon një faturë e madhe. Zinxhiri i mesazheve duket i rregullt. Pagesa është caktuar për në orën 16:00.Çfarë vë në provë: nëse e konfirmoni me telefon një ndryshim të tillë; kush mund të autorizojë një përjashtim; çfarë ndodh kur drejtori nuk përgjigjet; nëse dikush i thotë «jo» urgjencës.Për kë: financa, prokurimi, bizneset e vogla dhe të mesme. - 3
Afati tatimor
Serveri i kontabilitetit enkriptohet katër ditë para afatit të një deklarate. Kopje rezervë ka, por prej një viti askush nuk ka rikthyer gjë prej tyre.Çfarë vë në provë: nëse paguani apo jo, dhe kush e merr këtë vendim; si punoni me dorë ndërkohë; çfarë u thoni administratës tatimore dhe klientëve.Për kë: firmat e kontabilitetit dhe çdo kompani me afate rregullatore të rrepta. Ligji 9920 për procedurat tatimore ju detyron t’i dorëzoni deklaratat në afat, dhe penalitetin për vonesë e paguan tatimpaguesi. - 4
Zëri i drejtorit
Drejtori është me udhëtim. Ju lë një mesazh zanor, pastaj ju merr në një video-thirrje të shkurtër dhe autorizon një pagesë urgjente dhe dhënien e një dosjeje klienti. Zëri është i tij, madje edhe mënyra e të folurit.Çfarë vë në provë: nëse e keni fare zakon të verifikoni; në cilin kanal të dytë e konfirmoni; nëse një punonjës i ri ka të drejtë të refuzojë.Për kë: të gjithë. - 5
Kopjo dhe ngjit
Një punonjës i zoti, për të kursyer kohë, ngjiti një kontratë klienti, me emra dhe shifra, në një asistent bisede falas që t’ia përmblidhte. Kjo ndodhi tre muaj më parë.Çfarë vë në provë: nëse e dini cilat mjete përdor stafi dhe çfarë rregulli keni për to; nëse ky është cenim i të dhënave personale; çfarë i thoni klientit.Për kë: çdo zyrë.
Për institucionet ka një variant: për tri ditë, një portal shtetëror nga i cili varet puna juaj nuk punon ose i është cenuar siguria. Ky variant vë në provë si e vazhdoni punën, si punoni me letër ndërkohë dhe si u flisni qytetarëve.
Pas ushtrimit
Kur ekipi kërkon edhe zgjidhjen, ushtrimi mbyllet me «Kopjo dhe ngjit» dhe vijon me seminarin, ku rregulli bëhet proces pune për mjetet e AI-së që stafi përdor tashmë. Zgjidhja nuk është t’i ndaloni këto mjete, por ta trajnoni stafin të punojë me to sipas këtij procesi.